Po të ishte gjallë Kadri Roshi nuk do të talleshin dot me të në mënyrën më të turpshme. Rruga që mban emrin e tij në Shkozet, nuk ka asgjë të ngjashme me shkëlqimin e aktorit të filmit e teatrit që ka gdhendur qindra karaktere me rolet e tij.

Në lagjen 14 të qytetit të Durrësit e cila njihet si zona e Shkozetit, gjendet një rrugë ku mbi të janë të pasqyruara realitete të hidhura. Rruga që mban emrin e aktorit është kthyer në krenari për komunitetin e kësaj lagjeje, e cila vuan prej vitesh mungesën e investimeve. Por krenaria është vetëm për emrin e rrugës sepse banorët e zonës ecin në rrugë të pakalueshme, të kërcënuar nga përmbytjet në dimër dhe pluhuri në verë.

Rruga me emrin e të madhit Kadri Roshi, është shembulli më tipik i harresës dhe indiferencës. Bëhet fjalë për një segment të ngushtë, i cili më shumë sesa një rruge, i ngjan një monopati mali.

Në anë të kësaj rruge gjendet një kanal, shtrati i të cilit kërcënon banorët me përmbytje të shpeshta dhe me vatra infeksioni. Kanali është tejmbushur me mbeturina pasi nuk është pastruar për vite me radhë, madje tashmë është e vështirë ta identifikosh pasi shkurret dhe barishtet e shumta mbulojnë papastërtinë.

Këtu asnjëherë nuk janë ndërmarë aksione pastrimi. Banorët tregojnë se kjo rrugë është prej vitesh në harresë, sipas tyre emri që kjo segmenti mbanë është shumë i rëndësishëm dhe nuk meriton një gjëndje të tillë.

K.H.