Epoka e çarçafëve të verdhë apo të konsumuar tej mase ka marrë fund në spitalin rajonal të Durrësit.

Shefja e hotelerisë, Hasime Myftari në një intervistë për DurrësLajm tha se fituesi i tenderit ka filluar të operojë prej datës 26 tetor, ku është bërë furnizimi me materialin e butë, dyshekë, çarçafë, jastekë, jorganë.

Sipas Myftarit pas zbatimit të tenderit të lavanterisë, ka ndryshuar uniforma e të gjithë stafit mjekësor, duke e bërë atë sipas kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë, me siglën e institucionit dhe emërtimin e tyre.

Pas 30 muajsh, në fund të përfundimit të kontratës së koncesionit  duke nisur nga dyshekët e çdo shtrati dhe të gjitha materialet e tjera i kalojnë spitalit në pronësi.

Tenderi i lavanterisë aq shumë i përfolur kap vlerën 160 milionë lekë për 30 muaj.

Dhënia me koncension e shërbimit të lavanterisë, ka larguar prej spitalit të gjithë “pisllëkun” e hotelerisë, pisllëk me të cilin përballej që në fillim çdo pacient i cili kishte nevojë për ndihmë mjekësore.

Pacientët shprehen se nuk kanë më nevojë të marrin nga shtëpia asgjë, pasi edhe pizhamet dhe pantoflat i marrin sapo shtrohen në spital, ndërsa diferenca është e padiskutueshme në raport me disa javë më parë.

K.H.