"Koha e konceptit të të bërit të detyrave të shtëpisë mendoj se ka përfunduar, që ne në Bruksel kërkojmë gjëra, japim detyra shtëpie dhe presim që të realizohen, jo!", tha Mogherini.

Ashtu siç zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini e tha për Ora News, ka ikur koha kur Bashkimi Evropian bënte rolin e mësuesit duke dhënë detyra shtëpie për vendet e Ballkanit. Tashmë ky proces do të jetë dypalësh.

Janë lodhur me klasën politike ballkanase, apo kanë frikën e influencave të aktorëve të tretë në rajon, kjo pak rëndësi ka. E rëndësishme është se Bashkimi Evropian do të marrë nën patronazh Ballkanin, duke bashkëpunuar me vendin që kërkon të integrohet për të arritur standardet e nevojshme, dhe kjo përmes ndihmës direkte, dhe jo me detyra shtëpie.

Strategjia e Zgjerimit e prezantuar në 6 shkurt në Parlamentin Evropian, dhe që Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker do ta prezantojë vetë nga data 25 shkurt deri në 1 mars në të 6 vendet ballkanike përmban një plan aksioni për hapat që duhet të ndërmerren për të forcuar shtetin ligjor.

Lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe reformimi i sistemit gjyqësor, është objektivi parësor i Bashkimit Evropian.

Pas 2 dekadash, vendet e Ballkanit kanë dështuar ta arrijnë ndërsa tashmë këto reforma do të jenë në qendër të vëmendjes, me misione këshilluese europiane që do të shtrihen në të gjitha vendet.

Krimi i organizuar nuk gjendet vetëm në Shqipëri, ai është ndërkombëtar dhe lufta kundër tij duhet të bëhet në bashkëpunim. Po ashtu edhe lufta ndaj terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, siguria kufitare dhe menaxhimi i emigracionit. Për këtë, në vendin tonë dhe në të gjithë Ballkanin do të stacionohen oficerë të Europolit dhe do të shtohen ekipet e përbashkëta të hetimit.

Paralelisht, do të punohet që këto vende të jenë konkurruese me ekonomitë e Bashkimit Evropian.

Evropa do të ndërhyjë drejtpërdrejt duke zgjeruar hapësirën e investimeve në Ballkanin Perëndimor për të stimuluar investimet private. Do të rriten financimet me fokus punësimin dhe politikat sociale.

Një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet edhe arsimit duke dyfishuar fondet e programit ERASMUS+.

Evropa do të ketë një axhendë dixhitale për Ballkanin, do të investojë në uljen e kostove të roaming dhe do të zhvilloje faqet elektronike të qeverisë dhe prokurimeve për të shmangur korrupsionin në tendera.

Në strategji thuhej qartë se Bashkimi Evropian nuk ka pse mban brenda tij konfliktet e hershme të vendeve që duan të integrohen, prandaj një zgjidhje e tyre do të ishte detyruese, por për një pajtim afatgjatë, ajo që BE programon, janë bashkëpunimi midis vendeve të rajonit në arsim, kulturë, dhe sport. Po ashtu edhe ndërlidhja e të rinjve nëpërmjet bashkëpunimit të të rinjve të rajonit.