Ka kaluar në fazën e tretë ndërhyrja në autostradën Tiranë-Durrës, teksa këtë fillim jave kanë nisur sërish punimet në segmentin Maminas-Sukth në drejtimin Tiranë-Durrës.

ARRSH dhe policia e qarkullimit rrugor në një njoftim për shtyp, kanë bërë të ditur edhe detajet sesi do të devijohet trafiku.

Në vijim të ndërhyrjes emergjente për riparimin e shtresave asfaltike në aksin Qafë Kashar – Durrës dhe Durrës – Qafë Kashar në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore, ka rinisur në ora 06-00 të mëngjesit faza e tretë e punimeve në segmentin Maminas-Sukth në drejtimin Tiranë – Durrës.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor.

Trafiku në drejtimin Tiranë-Durrës devijohet në kryqëzimin e Maminasit në drejtim të rrugës dytësore. Automjetet që udhëtojnë nga Tirana në drejtim të Durrësit duhet të futen në nënkalimin e Maminasit të autostradës dhe të vazhdojnë rrugën dytësore deri në kryqëzimin e Sukthit dhe në vazhdim mund të dalin përsëri në autostradë ose të vazhdojnë në rrugë dytësore. 

Devijimi do të vazhdojë deri ditën e enjte, datë 21 qershor.

ARRSH këshillon edhe mjetet e transportit të rëndë që udhëtojnë nga Fushë-Kruja në drejtim të Durrësit të kthehen në rrugën dytësore në Vorë duke përdorur nënkalimin e rrugës së re.

Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Maminas-Sukth do të fillojë ndërhyrja në segementet e tjera të cilat ARRSH dhe policia do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe do të informojnë opinionin publik.