Ashtu siç ishte paralajmëruar, mëngjesin e kësaj të hëne ka nisur faza e dytë e aksionit të Policisë Bashkiake në Durrës për lirimin e hapësirave publike nga tregtarët ambulantë.

Aksioni sot është përqendruar te lagja nr. 12, te reparti i zjarrefikseve, tek tregu i rrobave dhe i sendeve të përdorura. Në krye të aksionit ka dalë edhe vetë kreu i Policisë Bashkiake Vasip Çopa, i cili bën me dije se forcat e Policisë Bashkiake po zhvillojnë aksionin në bashkëpunim me Ndërmarrjen e Pastrim-Gjelbërimit të qytetit dhe me mbështetjen e komisariatit të policisë së Durrësit.

Prej gati 20 ditësh, forcat e Policisë Bashkiake kanë ndërmarrë aksion për pastrimin e trotuareve nga shitësit ambulantë fillimisht në zonën e konsideruar më problematike të qytetit, te lagja nr.12; më konkretisht te zona e tregut të fruta-perimeve, rrugicat përreth pallatit të sportit si dhe në zonën pranë ish-parkut sportiv dhe shkollës “Marie Kaçulini”.

Çopa bën me dije se ky aksion do të vazhdojë në të gjithë qytetin, hap pas hapi, me një plan masash.