Qarkullimi në segmentin rrugor Tiranë – Durrës është bërë i rrezikshëm gjatë orëve të fundit, për shkak se kushtet klimaterike së bashku me dëmtimin që ka pësuar asfalti, mund t'iu paraqesin të papritura drejtuesve të automjeteve.

Ashtu siç raportoi “DurrësLajm” pak më parë, më shumë se 10 automjeteve iu çanë gomat për shkak të gropave që ndodheshin në korsinë e shpejtësisë në zonën e Sukthit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar tërheq vëmendjen e drejtuesve të mjeteve që udhëtojnë gjatë orëve të natës së sotme nga Tirana në Durrës dhe anasjellas, në segmentin Maminas-Sukth të reduktojnë shpejtësinë e lëvizjes. 

Reshjet intensive të shiut dhe dëmtimet që ka pësuar shtresa asfaltike e këtij segmenti shtojnë rrezikun, ndaj duhet që drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes dhe të lëvizin me shpejtësi të kufizuar. 

Policia Rrugore ka shtuar prezencën në këtë aks për të tërhequr vëmendjen e drejtuesve të mjeteve. Ndërkaq, ARRSH po merr masat për ndërhyrjen sa më të shpejtë nga kompania e mirëmbajtjes.