Policia e Qarkullimit Rrugor në Durrës ka shtuar masat kontrolluese me shtimin e ngarkesës në rrugët që të çojnë drejt bregdetit e anasjellas.

Valentin Floriri, shefi i Qarkullimit Rrugor, u ka dhënë mesazh të gjithë shoferëve që përdorin rrugët drejt plazheve të Durrësit, të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Shoferëve u tërhiqet vëmendje në drejtim të mos përdorimit të telefonit gjatë lëvizjes në rrugë, vendosjes së rripit të sigurimit, moskonsumit  të alkoolit për të shmangur aksidentet rrugore.

Maminas – Gjiri i Lalëzit, autostrada Tiranë – Durrës, Durrës – Plazh, unaza autostradë – Plepa, dhe rrugët dytësore Durrës – Kavajë e anasjellas, kanë mbingarkesë shumë të lartë këto ditë të para gushti. Në të gjitha këto segmente, policia rrugore është angazhuar me shërbime shtesë, ndërsa për çdo problem qytetarët kanë mundësi të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

Për të shmangur trafikun e rënduar, kryesisht në fundjavë në rrugën dytësore përgjatë bregdetit Plepa – Golem, shoferëve iu kërkohet të kalojnë në mbikalimin e Kavajës e të udhëtojnë në autostradë.

Prej më shumë se një muaji, qarkullimi rrugor në Durrës ka ngritur postblloqe në kryqëzimet dhe segmentet kyçe ku bën monitorimin e situatës së qarkullimit. Është i pari vit që në tri muajt e fundit është shënuar vetëm një aksident me vdekje.

K.H.