Ditën e sotme, në ambientet e Komisariatit të Policisë Shijak, në kuadër të Programit "Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri" SCPA dhe me mbeshtetjen e qeverisë suedeze u zhvillua aktiviteti përmbyllës.

Të pranishëm në aktivitet ishin drejtues dhe punonjës policie të Komisariatit të Policisë Shijak, përfaqësues të Institucioneve vendore, nxënës dhe mësues, të cilët e kanë ndjekur programin në vazhdimësi.

Në fjalën e saj, Eldisa Zhebo, Drejtore Ekzekutive e Institutit për Ndryshim e Lidership në Shqipëri falënderoi strukturat e policisë Shijak për bashkëpunimin dhe gadishmërinë e treguar gjatë zhvillimit të projektit.

Nga ana tjetër, shefi i Komisariatit të Policisë Shijak Komisar Arben Aliko falenderoi iniciatorët e programit duke i garantuar bashkëpunimin e përhershëm me Komisariatin e Policisë në zhvillimin e temave që kanë impakt të veçantë tek publiku.

Investimi më i mirë që mund të bëjmë është të edukojmë brezin e rinj në respektimin e rregullave ligjore, duke i ofruar të gjithë mekanizmat e nevojshëm që ti qëndrojnë larg veseve të këqija, dhunës, drogës, alkoolit…

Përfaqësuesit e Institutit për Ndryshim dhe Lidership në Shqipëri në bashkëpunim me Efektivet e Komisariatit të Policisë Shijak, për rreth 5 muaj kanë zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese, intensive me nxënës të shkollave të qytetit të Shijakut.

Në sesionet e tyre informuese janë zhvilluar tema të ndryshme që shqetësojnë qytetarët, me qëllimin e vetëm: Afrimin dhe bashkëpunimim sa më të gjerë Polici – Komunitet.

Në aktivitet, një pjesë e mirë e nxënësve kishin përzgjedhur që informacionin e marrë në gjithë këto muaj ta pasqyronin në materiale si: ese, piktura dhe kërcime.

Me pikturat më të bukura u zhvillua edhe një ekspozitë, duke i rezervuar një vend të veçantë në ambientet e brendshme të Komisariatit.

Gjatë ceremoninë u shpërndanë edhe Çertifikata Mirënjohje për nxënësit, punonjësit e policisë dhe drejtuesit e shkollave.