Ndërrmarrjet në varësi të bashkisë së Durrësit prej ditësh po përballen me sfidën që po u bën deti Adriatik. Me qindra tonë leshterikë po pastrohen çdo ditë në plazhin më të madh të vendit, nga punëtorët dhe mjetet e rënda, por situata është jo e mirë, sepse çdo mëngjes deti akumulon në breg sasi shumë të mëdha.

Deti i trazuar nuk e ka lënë për asnjë ditë bregun të pastër nga leshterikët duke bërë që prefekti i Durrësit të shkojë sërish për inspektim në zonën e plazhit së bashku me  zëvendësministren e Turizmit, Ornela Çuçi.

“Jemi detyruar të rikthehemi disa herë në zonën e plazhit sepse bregdeti mbushet çdo mëngjes me qindra tonë leshterikë që i sjell në breg”, deklaroi prefekti.

Për Ministrinë e Mjedisit dhe të Turizmit, është detyrë e çdo njësie vendore të pastrojë territorin jo vetëm brenda qyteteve, por në rrethina, në brigjet e lumenjve, ku situata është edhe më e rëndë për shkak të grumbullimit të mbetjeve urbane që nuk janë pastruar për 27 vjet, por depozitohën në lumenj e përfundojnë në det.

Prej disa ditësh ka nisur aksioni një javor për pastrimin e territoreve në rang kombëtar dhe bashkia e Durrësit është angazhuar me seriozitet, kryesisht në pastrimin e bregdetit nga shëtitorja “Taulantia” e në të gjithë vijën bregdetare që mbulon.

K.H.