Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në këtë periudhë të temperaturave të larta e shtimit të volumit të tregtisë në kuadër të sezonit turistik, është në çdo kohë në aksion për identifikimin, kontrollin, evidentimin, dënimin dhe ndalimin e çdo veprimtarie të kundraligjshme e të rrezikshme nga subjektet që neglizhojnë apo shkelin rregullat e Sigurisë ushqimore.

Për këtë arsye, AKU ka nisur një tjetër aksion, atë të kontrollit të furgonave që furnizojnë lokalet dhe marketet në të gjithë qarkun e Vlorës por dhe më gjerë.

Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Vlorë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka ndaluar disa furgona, dy prej tyre tregtonin produkte qumështi në temperatura mbi normën e lejuar, përkatësisht 18.4 dhe 15.6 gradë ku normalja është deri në 6 gradë celsius.

Për sa më sipër, ndaj subjekteve është marrë masa administrative: gjobë 100.000 lekë për secilin.

Ndërsa një tjetër subjekt u kap në flagrancë nga DRAKU Vlorë duke transportuar mish dhe nënprodukte të tij në temperaturën 25.6 gradë ku normalja është 6 gradë celsius. Edhe ndaj këtij subjekti është marrë masë administrative gjobë në vlerën 200.000 lekë. 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se këto kontrolle do të vazhdojnë të jenë intensive për të mos lejuar askënd të cënojë sigurinë dhe cilësinë e produkteve në vendin tonë.