Zbardhen detaje nga operacioni i Prokurorisë së Tiranës për automjetet luksoze që shmangnin doganën.

Nga hetimet ka rezultuar se këto mjete futeshin nga pika kufitare Sarandë dhe Durrës pa u regjistruar në sistemin TIMS. Personat e përfshirë në skemën e mashtrimit me dogana përdornin dokumente dhe fletëhyrje të mjeteve si vit prodhimi më të vjetër. Për çdo mjet, shmangia e doganës arrinte nga 10 mijë deri në 15 mijë euro.

Ky grup zhdoganonte duke kryer evazion vetëm mjete luksoze të llojit Range Rover. Automjete të vitprodhimit 2014-2015-2016 zhdoganoheshin si mjete të vit prodhimeve 2002-2004-2005.

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar deri në këto momente 5 fuoristrada, janë identifikuar 25 të tilla nga hetimi i kryer.

Report Tv raporton se sipas grupit hetimor, rezulton se nga mjetet e targuara janë 100 fuoristrada të tilla në 2 vite dhe të gjitha do kalojnë në kontroll. Mjetet që shmangin detyrimim doganor janë shitur në Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë. Disa nga këto mjete janë të denoncuara të vjedhura në vendet e BE-së.