Organizmi i Këshillit të Evropës për luftën kundër korrupsionit njeh përparimin në Shqipëri, por kërkon veprim të mëtejshëm.

Në një raport të botuar sot, Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit i Këshillit të Europës (GRECO) njeh përparimin e bërë nga Shqipëria në zbatimin e rekomandimeve të saj për të parandaluar korrupsionin në lidhje me parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët, por gjithashtu kërkon një sërë përmirësimesh dhe përfundimin e reformave të mbetura pezull.

Në raportin e saj, GRECO arrin në përfundimin se, “Shqipëria deri më tani ka përmbushur plotësisht katër nga 10 rekomandimet që ka nxjerrë në raportin e saj të vlerësimit në vitin 2014. Të gjashtë rekomandimet e tjera janë zbatuar vetëm pjesërisht”.

GRECO e mirëpret si një hap të rëndësishëm miratimin e Kodit të Sjelljes për deputetët në prill 2018, i cili përfshin çështje të tilla si konflikti i interesave; aktivitete shtesë; dhuratat dhe kufizimet pas punësimit. “Konfliktet e interesit duhet të deklarohen nga deputetët kur ato shfaqen dhe gjithashtu një procedurë është përcaktuar për të siguruar që kontaktet e deputetëve me palët e treta gjatë procesit legjislativ të raportohen, regjistrohen dhe bëhen publike”.

Megjithatë, GRECO shpreh keqardhjen për mungesën e qartësisë në lidhje me zbatimin e këtyre rregullave dhe sanksioneve në rast shkelje, të cilat nuk përmenden shprehimisht në tekstin e Kodit të Sjelljes dhe nënvizon nevojën për një mekanizëm zbatimi, duke përfshirë sanksionet, për t’a bërë kodin efektiv. Asambleja Kombëtare po planifikon të hartojë udhëzime për të hedhur dritë mbi rregullat e përfshira në Kodin e Etikës, por ato duhet të miratohen. Ndërgjegjësimi dhe trajnimi i deputetëve për këto rregulla është ende në fazën e përgatitjes.

Raporti gjithashtu njeh si një hap pozitiv faktin që periodiciteti i kontrolleve të deklarimit të aseteve nga ana e deputetëve është shkurtuar dhe se ato publikohen në një faqe zyrtare.

Në lidhje me gjyqtarët, një reformë e madhe gjyqësore është në vazhdim e sipër që nga viti 2014 dhe po ashtu është një proces verifikimi për gjyqtarët me qëllim luftën kundër korrupsionit në gjyqësor.

GRECO përshëndet faktin që, si pjesë e paketës së reformës, roli i Presidentit të Republikës është kufizuar në emërimin formal të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë me propozimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, i përbërë nga një shumicë e gjyqtarëve të zgjedhur nga kolegët e tyre.

Zhvillime të tjera pozitive me përfundimin e reformës konsistojnë në faktin se funksionimi i administratës gjyqësore nuk do të jetë më nën përgjegjësinë e Ministrisë së Drejtësisë, por të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit; dhe se Këshilli i Lartë i Gjyqësorit do të jetë përgjegjës për vendosjen e standardeve etike dhe monitorimin e tyre.

GRECO konsideron një hap tjetër pozitiv krijimin e nje Inspektori të Lartë të Drejtësisë i cili është i pavarur si autoriteti përgjegjës për trajtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve dhe fillimin e procedimeve disiplinore ndaj gjithë gjyqtarëve, megjithëse vë në dukje se posti duhet të plotësohet. Nga ana tjetër, GRECO shpreh keqardhjen për vonesat e vazhdueshme në vlerësimet periodike të gjyqtarëve.

Përsa i përket prokurorëve, raporti shënon përparim në kuadrin ligjor për vlerësimin e tyre, i cili duhet të përfshijë më shumë kritere lidhur me integritetin dhe standardet etike, edhe pse Këshilli i Lartë Prokurorial, i cili do të jetë përgjegjës për vlerësimin e prokurorëve, ende nuk është krijuar.

Së fundmi GRECO u kërkon autoriteteve shqiptare të sigurojnë një përditësim të progresit në zbatimin e rekomandimeve të papërmbushura deri më 31 mars 2019 si afat i fundit.