Superoperacioni i kapjes së sasisë rekord prej një ton kokaine në Spanjë, e nisur me charter nga Kolumbia, që tashmë njihet si rasti “Narco Jet”, "zbuloi" rrezikshmërinë e grupeve kriminale shqiptare.

Madje, mediat spanjolle e kolumbiane shkojnë edhe më tej, duke i quajtur mafiozë të rrezikshëm, që karakterizohen përgatitja ushtarake, nga brutaliteti dhe mënyra efikase e të vepruarit. Një radio kolumbiane “Caracol” i ka kushtuar vëmendje të veçantë dje një raporti të Interpolit, lidhur me grupet kriminale shqiptare.

Sipas gazetarëve, në raport jepen detaje mbi rrezikshmërinë e lartë të këtij grupi që e dërgonte drogën në Europë. “Shumë nga anëtarët e tij ishin pjesëmarrës të luftërave në Ballkan e për këtë arsye veprojnë me një profesionalizëm ushtarak e dallojnë për nga brutaliteti dhe efikasiteti i tyre”, shkruhet në raportin që citon radioja kolumbiane. Njëri nga 5 personat e arrestuar për ngarkesën me kokainë “CR7”, ai që u arrestua në Combita ishte një person me një histori të më- parshme të narkotrafikut. Dy të huajt e arrestuar në Spanjë ishin shqiptarë, pjesëtarë të një rrjeti kriminal, që sipas raporteve të shërbimeve sekrete ishte krijuar me ishushtarë që kanë marrë pjesë në luftërat ballkanike.

RAPORTI

Në raportin e Interpolit shpjegohet edhe mënyra se si arrinin ish-ushtarët ta fitonin besimin e komunitetit përmes kontrollit ekonomik e të kërcënonin sigurinë e anëtarëve. “Këto grupe kriminale nga disa vende të Europës Lindore karakterizohen nga mënyra e të vepruarit, mbështetur në besnikërinë e pjesëtarëve që arrijnë t’i menaxhojnë duke i kontrolluar familjet e tyre në Shqipëri, të cilave u bëjnë pagesa cash, e në të njëjtën kohë i kthejnë në pengje, ndërsa lidhjet e tyre zgjaten si tentakula në mbarë Europën. Kush hyn në këto grupe, mund ta realizojë një gjë të tillë në dy mënyra: E para, njerëzit që u përkasin qarqeve të besuara të organizatës arrijnë të depërtojnë përmes lidhjeve të gjakut dhe e dyta, duke e provuar për vite të tëra sesa të vlefshëm janë për të”, thuhet në raport.

OPERACIONI

Hetimet për zbulimin e organizatës që trafikonte kokainë kishin nisur prej muajit nëntor. Pas disa verifikimesh, oficerët e Antidrogës ranë në gjurmët e organizatës kriminale të drejtuar nga shqiptarë që jetonin në Spanjë. Oficerët e Policisë spanjolle në bashkëpunim me atë kolumbiane dhe DEA-n kishin mundur të zbulonin se krerët e grupit ishin zhvendosur në Spanjë me qëllim që të krijonin aty një pikë hyrëse të drogës në Europë. Hetuesit arritën madje të binin në gjurmët e një ngarkese lëndësh narkotike, e cila po ruhej në Madrid për t’u shpërndarë më vonë. Në këtë kohë u zbulua se kokaina ishte fshehur në disa valixhe të mëdha, me ngjyrë të zezë.

TRAFIKU

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat spanjolle, që i referohen burimeve nga Policia lokale, droga kalohej në valixhe të mëdha me ngjyrë të zezë. Gjithçka kamuflohej me shërbimet e një kompanie që merrej me transport mallrash. Ndërsa valixhet e mbushura me kokainë dhe para transportoheshin nga Kolumbia në Spanjë përmes fluturimeve me charter. Gjatë operacionit u arrestuan 5 persona: 2 shqiptarë, 2 spanjollë dhe një kolumbian që drejtonte linjën e trafikut në nisje.

Ndërsa në mbërritje gjithçka kalonte në dorën e dy shqiptarëve, njëri prej të cilëve konsiderohet nga Policia spanjolle si kreu i grupit. Shqiptari tjetër i arrestuar ishte krahu i tij i djathtë. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë ende publikë, duke qenë se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë organizatë, të cilët janë ende në ndjekje dhe nuk janë arrestuar.