Shëtitores “Taulantia” në Durrës i është rikthyer gjallëria sërish. Qindra e mijëra qytetarë e turistë, prindër me fëmijë i drejtohen për shëtitje kësaj zone.

Por në ndryshim nga javët e shkuara, fëmijët durrsakë e ata që vijnë për pushime kanë mundësi të argëtohen me lodrat që u vendosën në shesh.

Lodrat e reja janë të një standarti më të mirë dhe kjo ka bërë që shumë fëmijë të kenë një mundësi argëtimi, pasi argëtimi i fëmijëve është shumë i vakët në këtë periudhë që ata kanë përfunduar shkollën.

Disa javë më parë, policia bashkiake largoi prej Shëtitores të gjitha lodrat, që ishin kthyer në burim papastërtie e kishin zaptuar sipërfaqet.

Lodrat e reja jo vetëm duken më cilësore, por edhe më pak zhurmuese, në krahasim me ato që gjendeshin aty më herët.

K.H.