Njëra anë e aksit tërësisht e bllokuar, baltë dhe argjilë në rrugë dhe një zonë që duket komplet e lënë në mëshirën e natyrës dhe kapriçove të motit. Një pamje shumë larg asaj që duhet të ofrojë një nga zonat më të bukura të qytetit të Durrësit.

Kjo është panorama që kanë lënë pas rrëshqitjet e tokës në Currila.

Pamjet filmike që sjell DurrësLajm dëshmojnë situatën mjaft të rëndë të krijuar në sipërfaqen e kodrës, e cila vitet e fundit i është nënshtruar fenomenit të erozionit.

Masive argjile kanë përfunduar në rrugë duke e bërë tërësisht të pakalueshme njërin kah të rrugës. Rrëshqitjet pritet të vazhdojnë edhe ditët e ardhshme, pasi parashikimet sinoptike flasin për ditë të tjera me reshje.

Ndërkohë, nga investimi 2 milion euro, i realizuar 2 vite më parë në këtë zonë pak gjë ka mbetur.

Rrëshqitjet e tokës kanë zeruar milionat e hedhura për rehabilitimin e saj, ndërkohë që situata mund të përkeqësohet në të ardhmen, pasi nuk ka asnjë projekt konkret që të zbatohet për parandalimin e erozionit të mëtejshëm.