Personi që shihni në foto është Bledar Jambelli, ose i quajtur edhe ndryshe Rikardo Muho.

Ai është zbuluar nga hetimet si personi i dyshuar që ka urdhëruar vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku, raporton Panorama.

Por çfarë e lidhte të dyshuarin me kryekomisarin e ndjerë?

Sipas të dhënave, kryekomisari i ndjerë Cuku, në dhjetor të vitit 2012 ka arrestuar shtetasin Bledar Jambelli. Arrestimi i tij u krye për vrasjen e Armando Delajt.

Vrasja e Delajt ka ndodhur më 4 shtator 2012 në Vlorë. Por ky ekzekutim, çoi në zbardhjen e një tjetër ngjarjeje të rëndë në Pus-Mezin në vitin 2006, kur mbetën të vrarë Shpëtim Muka, Ervis Shehu dhe u plagos Edvin Zanaj.

Krimi që kishte lidhje me Mukën dhe nipin e tij Zanaj, e kishte zanafillën që me një vrasje mes shqiptarësh në Spanjë.

Më pas, eliminimet pasuan njëra-tjetrën në Vlorë e Tiranë, mes të cilëve edhe oficerja e marinës, Leonora Rama.

Ngjarja e Pus-Mezinit që ndodhi më 30 dhjetor 2006, mbeti e pazbardhur për rreth 7 vite, derisa një tjetër vrasje tronditi Vlorën më 4 shtator 2012.

Në këtë ngjarje mbeti i vrarë në lokalin e tij 27-vjeçari Delaj, u plagosën rëndë edhe dy klientë të tij.

Autori i dyshuar, shtetasi Bledar Jambelli apo, siç njihet ndryshe edhe si Rikard Muho, u arrestua në 2013-n në Aeroportin e Rinasit në tentativë për t’u larguar jashtë shtetit.

32-vjeçari nga fshati Mbrostar i Fierit u prangos pasi në bazë të provave shkencore ishte i dyshuar për vrasjen e Delajt.

Ndaj tij Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë “arrest në burg me afat” si autor i dyshuar për vrasjen e Delajt, për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Pas arrestimit, Prokuroria nisi hetimet për të provuar shkencërisht edhe autorësinë e vrasjeve të 2006-s, autor i së cilës dyshohej të ishte po Jambelli.

Ai dyshohet edhe për një vrasje në Tiranë, krime të cilat i ka kryer me pagesë.

Prokuroria pasi rifilloi hetimin, e në bazë të provave të grumbulluara kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg pa afat” ndaj këtij shtetasi si autor i dyshuar për tri vrasje dhe tri plagosje.

Marrë nga "Panorama"