Nga Shefqet Kërcelli

Në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Ushtrisë të Maqedonisë,  më datën 18 -19 prill 2018, zhvilloi një vizitë zyrtare në vendin tonë, Shefi i Shtabit i Ushtrisë Maqedonase, Gjeneral Lejtnant Metodija Velichkovski, i shoqëruar nga stafi i tij më i ngushtë.

Pas pritjes ceremoniale të dy delegacionet zhvilluan bisedime për çështje me interes reciprok, që përfshijnë çështje në marrëdhëniet bilaterale në kuadrin rajonal dhe atë të Aleancës.

Në vijim të vizitës, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Maqedonisë, Gjeneralejtnant Metodija Velichkovski dhe delegacionin që e shoqëronte e priti Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FARSH, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, në një takim të veçantë.

Gjeneral brigade Kollçaku, vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin ushtarak dypalësh për sigurinë dhe stabilitetin e dy vendeve dhe rajonit, duke theksuar se Shqipëria e konsideron Maqedoninë një partner të rëndësishëm në kuadër të bashkëpunimit për mbrojtjen dhe siguroi se dhe FA shqiptare do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e Maqedonisë për integrimin në NATO.

Nga ana e tij, GjeneraLejtënant Velichkovski, vlerësoi me nota të larta mbështetjen që Shqipëria dhe Forcat e Armatosura shqiptare kanë dhënë e po japin në integrimin e Maqedonisë në NATO.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim që bashkëpunimi ndërmjet Forcave të Armatosura shqiptare dhe Forcave të Armatosura maqedonase do të vijojë edhe më tej, me qëllim sigurinë dhe stabilitetin e dy vendeve por edhe të rajonit, për të qenë të aftë tu përgjigjen sfidave të kohës.

Po atë ditë  Gjeneral Velichkovski u prit nga Komandanti i Forcës Detare, Gjeneral major Ylber Dogjani, Zv.Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut  të I-rë, Subi Zenelaj, Shefi i Shtabit të Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë, Arsen Mullaj dhe truproja e nderit e Forcës Detare.

Më pas gjatë takimit të përbashkët, Dogjani nënvizoi miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë si dhe mundësinë e bashkëpunimit midis Forcës sonë Detare dhe reparteve speciale të Ushtrisë maqedonase në zbatim dhe të marrëveshjeve me NATO-n.

Nga ana e tij, Gjeneral Velichkovski, shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në fusha me interes reciprok në të ardhmen, konkretisht me Forcën Detare Shqiptare.

Në vijim të vizitës, ushtarakët e lartë të shtetit maqedonas bënë një lundrim të shkurtër në Gjirin e Durrësit, me anijen “Iliria”, P-131.