Një emigrant i revoltuar, është kthyer nga Italia në vendlindjen e tij në Xhafzotaj të Durrësit, dhe pasi ka parë gjendjen e shkatërruar të rrugës, është ngritur në protestë.

Shkak i protestes është bërë amortizimi i tejskajshëm i segmentit rrugor Durrës-Shijak, duke e çuar të riun Gesti Sinjoni të bllokojë rrugën për disa minuta.

Në shenjë revolte dhe dëshpërimi për gjendjen e rrugëve tona, i riu nga Xhafzotaj ka hedhur pikërisht në rrugën tejet të dëmtuar dhe me gropa të shumta, koshat e plehrave, ka thyer vazot e luleve, me qëllim që zëri i tij të dëgjohet dhe dikush të reagojë.

Gesti Sinjoni, i kthyer nga vendi fqinj para 2 ditësh, së bashku me familjen e tij dhe 2 fëmijët, u ngrit sot në këtë protestë individuale, së cilës iu bashkuan edhe banorët me shoferët e tjerë që u bllokuan në trafik, në shenjë solidariteti me kërkesat e tij.

Teksa forcat e policisë kanë ndërhyrë për ta larguar, emigranti iu ka kërkuar uniformave blu ta lejojnë të protestojë në këtë formë, sepse sipas tij, kjo rrugë nuk preket me dorë prej 20 vitesh.

Emigranti: Na lër o burrë të protestojmë, po bën 20 vjet kjo rrugë.
Policia: Bëje me procedurë.
Emigranti: Kam ardhur prej Italie nuk di asnjë procedurë. Na lër të protestojmë. Ka 20 vjet kjo rrugë që nuk bëhet.
Policia: Bëj kërkesë protesto. Nuk lejohet… kjo është e paligjshme.
Emigranti: Ta marrë vesh gjithë dynjaja. Nuk shtrojnë një rrugë për 20 vjet. Të shkojmë në punë. Le të vijnë qeveritarët, ta shohin.
Banorët: Këtij hallall ja bëftë Zoti, po qenka vetëm.
Emigranti: Të gjithë ikin, asnjë s’ka b*** të bëjë protestë, të gjithë ikin.

Aksi rrugor Durrës-Shijak përshkon zonën industriale më të rëndësishme në vend, me dendësi të madhe popullsie, dhe prej vitesh është lënë në harresë duke pësuar dëmtime të mëdha, e ndërkohë që vijon të dëmtohet në shkallë të rëndë, nuk merret asnjë masë për riparimin e tij.