Shkatërrohet një bandë trafikantësh shqiptarë që vepronte në veri të Italisë, me degëzime internacionale që trafikonin sasi droge nga Shqipëria e Maqedonia.

Policia financiare e qytetit të Pizas në bashkëpunim me atë të Venecias kanë ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin antidrogë, duke vënë në pranga 11 korrierë droge, 10 prej të cilëve shqiptarë dhe 1 shtetas italian. Gjithashtu janë sekuestruar rreth 80 kg lëndë narkotike.

Trafikantët shqiptarë të arrestuar janë të gjithë nga qyteti i Elbasanit e trafikonin në Itali sasi të konsiderushme heroine e kokainë në doza të vogla.

Droga mbërrinte në Itali me anë të automjeteve të modifikuara enkas për fshehjen e drogës e të pajisuar me aparate radio lokalizuese që mundësonin monitorimin e lëvizjes së tyre.

Ndaj 9 shqiptarëve është lëshuar urdhri i arrrestimit me burg, ndërsa ndaj dy shqiptarëve të tjerë e shtetasit italian është dhënë urdhëri i detyrimit të paraqitjes në komisariatin e policisë.

Banda e trafikantëve shqiptarë e kishte bazën operative në një shtëpi të braktisur në provincën e Venetos e kontrollohej në mënyrë konstante nga anëtarët e saj, ndërsa kishte mundur të krijonte degëzimet e saj në rajonet Toscana, Lombardia, Liguria. Puglia, Emilia Romagna e Tentino Alto Adige.

Hetimet e këtij operacioni janë koordinuar në bashkëpunim me autoritetet investigative shqiptare e maqedonase.