Shpërthimi me eksploziv në hyrje të klinikës së mjekut Arlind Lala shkaktoi mjaft panik në lagjen “Petrit Llaftiu” në qytetin e Shijakut. Banorët dolën të tmerruar jashtë, ndërsa vetë mjeku ishte i shtruar në spital, pasi kishte pësuar frakturë në nofull ditë më parë kur nisi zanafilla e konfliktit të tij me një pjesë të banorëve të Shijakut.

Pas shpërthimit të një sasie tritoli, është babai i tij Musa Lala, një mësues i vjetër, i cili hedh dritë mbi dyshimet për këtë ngjarje. Musa Lala deklaroi se pikënisje e saj është protesta e banorëve në datën 6 shtator për fabrikën e përpunimit të mbetjeve spitalore.   

“Banorët e Shijakut i organizoi bashkia për protestë, dhe ne nuk dinim gjë fare. Djali shkoi atje për të sqaruar banorët, por ata e qëlluan dhe djali përfundoi prej asaj dite në spitalin e Durrësit me frakturë në nofull”, tha babai. 

Djali i tij ka qenë i shtruar në spital natën e shkuar dhe nuk ka pasur njeri në banesë në kohën e shpërthimit, që më së shumti i ngjan një kërcënimi për familjen shijakase. Musa Lala ngulmon se nuk kanë asnjë konflikt personal me asnjë banor të Shijakut, por se gjithçka ka lidhje me fabrikën.

“Nëse nuk do populli ne nuk e bëjmë, por e vërteta nuk është ashtu siç i është prezantuar medias dhe popullit në lidhje me këtë incenerator”, thekson babai i mjekut në gjendje të dëshpëruar.

33-vjeçari është marrë në pyetje nga policia e Durrësit. Në klinikë ai shërben së bashku me bashkëshorten e tij.

K.H.