Kombet e Bashkuara japin alarmin se Shqipëria po shndërrohet në rrugë tranziti për refugjatët dhe emigrantët nga vendet islamike në krizë që synojnë Europën. Deutsche Welle citon zyrtarët e UNHCR-së, të cilët shprehen se refugjatët po shfrytëzojnë një rrugë të re, që kalon nga Greqia, Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia e më tej.

Veçanërisht Bosnja është shndërruar në një vend-qëndrim të përkohshëm të tyre. Autoritetet boshnjake njoftojnë për një rritje të ndjeshme të numrit të refugjatëve, të cilët kanë tejkaluar kapacitetet e pakta pritëse të këtij vendi dhe po strehohen nëpër parqe.

Javën e kaluar, autoritetet malazeze paralajmëruar rrethimin me gardh me tela me gjemba të kufirit me Shqipërinë për të penguar fluksin ilegal të refugjatëve. Statistikat tregojnë se në 4 muajt e parë të këtij viti, 3 mijë refugjatë nga vendet në krizë me shumicë myslimane kanë hyrë në Greqi, 10 mijë total në vendet e jugut të Europës.