Kjo ishte situata e trafikut këtë të diel në rrugën dytësore Plepa – Golem, e cila rëndohet gjatë fundjavës për shkak të fluksit të pushuesve që u drejtohen zonave turistike të Durrësit.

Në njërin sens, atë nga Golemi për në Durrës, trafiku ishte i rënduar, ndërsa në sensin tjetër rruga ishte e lirë.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës së sotme, policia e Durrësit iu dha disa këshilla drejtuesve të automjeteve, që përshkojnë aksin rrugor Plepa-Golem, për të evituar radhët e gjata në trafik dhe aksidentet e mundshme.

Njoftimi i policisë:

Nisur nga fluksi i madh i mjeteve që qarkullojnë në fundjavë në segmentin rrugor Plepa – Golem, Policia Rrugore Durrës me qëllim sigurimin e lëvizjes së lirë dhe pa probleme në këtë aks këshillon drejtuesit e mjeteve sa më poshtë:

gjatë orarit të pasdites të qarkullojnë në intervale kohe të ndryshme dhe jo në mënyrë të menjëhershme;

të mos kryejnë manovra të gabuara si : parakalime, mos -respektim të normave të shpejtësisë,  mos – ruajtje të distancës së sigurisë së mjeteve në lëvizje etj.

drejtuesit e mjeteve që kanë ardhur me pushime në zonën e Golemit, Mali i Robit të qarkullojnë në drejtim të Mbikalimit të Kavajës për të dalë në autostradë për në Tiranë për shkak të ngarkesës.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor Durrës do të ndëshkojnë çdo drejtues mjeti që shkel normat e Kodit Rrugor.