Moti i keq dhe stuhitë e dëborës kanë përfshirë verilindjen e vendit. Në orët e para, temperaturat zbritën në -4 gradë Celsius.

Nga Fushë Dukagjini deri në Reps, reshjet e dëborës të shoqëruara me erëra të forta penguan qarkullimin normal të mjeteve në Rrugën e Kombit.

Probleme ka edhe në akset e tjera rrugore, që lidhin Kukësin me Peshkopinë, Hasin edhe Tropojën. Në disa zona të Bushtricës edhe Kalisit pati probleme edhe me energjinë elektrike.

Edhe në Dibër, bora po paraqet probleme. Njësitë administrative, Lurë, Kalaja e Dodës, Selishtë, Trebishtë dhe Ostren janë të bllokuara.

Trashësia e borës aty ka arritur deri në 35 centimetra. Rruga nacionale Kukës- Peshkopi kalohet me vështirësi, e bllokuar është dhe ura e Sheranecit. Probleme janë shfaqur dhe në Bulqizë, e cila njihet si një ndër zonat më të ftohta të qarkut Dibër.