Nga nesër në Durrës nis llogaritja e re e taksës së pasurisë për banesat sipas ligjit të unifikuar që u miratua nga Këshilli i Ministrave.

Ligji i ri i pasurisë ka vënë në dilemë shumë familje. Nga 90 mijë familje që numëron bashkia e madhe me të gjitha njësitë administrative, vetëm 50 % e paguajnë taksën e pasurisë e cila vjen në faturën e ujit të pijshëm.

Kryesisht këtë taksë e paguajnë familjet në qytetin e Durrësit, ndërsa për  herë të parë pritet ta paguajnë edhe familjet në fshat. Pikërisht, aplikimi i taksës së pasurisë në fshat ka sjellë edhe debat të madh në mbledhjen e fundit të Këshillit  Bashkiak.

Banorët në Durrës jo vetëm nga qyteti por edhe nga periferia, janë të paqartë. Ata thonë që e paguajnë taksën e pasurisë e cila ju vjen në faturën e ujit të pijshëm, por nuk e dinë se sa do të paguajnë me aplikimin e tarifës së re të llogaritur nga qeveria me zbatimin e ligjit të ri.

Shumë qytetarë thonë se kanë probleme me pronësinë pasi apartamentet i kanë blerë por firmat e ndërtimit nuk ju kanë dhënë ende certifikatën e pronësisë, ndërsa të tjerë ende nuk e dinë se mbi çfarë baze do të paguajnë shtëpinë për metra katror.

Taksat e reja për qytetarët dhe biznesin janë unifikuar, me krijimin e bashkisë së madhe, duke bërë që të paguajnë njësoj si në qendër të Durrësit, ashtu dhe ata që banojnë në skajet e tij.

K.H.