Trageti “Michela” me kapacitet prej 1000 pasagjerësh, me kapacitet transporti deri në 150 kamionë, i shpejtë, modern dhe i ri është futur në linjën detare Durrës-Trieste-Ankona.

Kompania Adria Ferries ka inauguruar tragetin "Michela", i cili do të lundrojë tre herë në javë nga portet e Triestes dhe Ankonës drejt Durrësit. Trageti me kushte më të mira udhëtimi i shtohet linjave që lidhin portet italiane me atë të Durrësit.

Trageti në fjalë parashikohet të shkurtojë me 5-6 orë lundrimin drejt Durrësit, duke sjellë përfitime të ndjeshme sidomos për biznesin. Në aktivitetin promovues që është zhvilluar në bordin e tragetit, kanë marrë pjesë përfaqësues të kompanisë italiane, drejtues të institucioneve në Durrës si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.

Në përshëndetjen e tij, kryetari i bashkisë Vangjush Dako theksoi se: “Jam i gëzuar që shtohet një traget i ri me kushte më të mira dhe që do të sjellë lehtësira për lëvizjen e udhëtarëve si dhe atë të turistëve që do të vizitojnë drejt qytetit tone”. 

Ambasadori i Italisë në vendin tone, Alberto Cutillo, në përshëndetjen e tij theksoi se ky është një rast për të festuar dhe me këtë ne tregojmë se Italia beson tek Shqipëria dhe potencialet e saj.

Ambasadori Cutillo shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke u forcuar më tej, gjë që u vu re edhe nga vizita e suksesshme e kryeministrit Rama disa ditë më parë në takim me homologun e tij italian.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha se investimet në fushën e transporteve ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e turizmit. Duke u ndalur në këtë sektor, ministri Klosi tha se këtë vit kemi pasur rritje të numrit të turistëve që kanë vizituar vendin tonë dhe qeveria shqiptare ka marrë vendime të rëndësishme për të lehtësuar subjektet që operojnë në fushën e turizmit.  

K.H.