Pas gati 10 vitesh, trotuarët në Durrës u janë kthyer atyre që ju përkasin e për të cilët janë ndërtuar; këmbësorëve.

Policia bashkiake e Durrësit prej ditësh ka nisur lirimin e hapësirave publike të zëna nga lokalet e bizneset anës rrugës. Një ditë më parë, DurrësLajm ndoqi nga afër aksionin e policisë bashkiake për lirimin e trotuareve. 

Ndërsa sot DurrësLajm pa nga afër se çfarë ka mbetur në bulevardin kryesor nga Pallati i Kulturës e deri tek Pallati i Sportit, duke përfshirë sheshin “Azem Hajdari” e sheshin “Italia”.

Karriget e tavolinat e lokaleve janë vetëm në një krah ndërsa prej trotuareve janë larguar edhe vazot e luleve e gjithçka tjetër rrethanore që nuk lejonte apo vështirësonte kalimin e njerëzve në trotuare. 

Pronarët e lokaleve e të subjekteve të tjera ishin “shtrirë sa gjatë-gjerë” në trotuare, ndërkohë që këmbësorëve, jo pak herë u duhej të lëviznin në rrugë, ku kalojnë automjetet.

Megjithëse funksioni primar i trotuareve është në shërbim të këmbësorëve, këta të fundit ishin të privuar prej shumë vitesh t’i shfrytëzonin ato.

K.H.