Detaje te reja nga dhunimi i shefit te regjimit të Burgut 313 në Tiranë, Bledar Pura. Ai u dhunua fizikisht mëngjesin e djeshëm, sapo doli nga shtëpia.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, në zonën e “Freskut”, para një pallati. Policia është lajmëruar në sallën operative nga dëshmitarët, të cilët denonconin se një person ndodhej i gjakosur dhe i shtrirë në tokë.

Menjëherë pas telefonatës, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr.4, që kanë konstatuar të plagosurin dhe kanë lajmëruar ambulancën, që e ka transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës.

Burimet thanë se 36-vjeçari Bledar Pura ishte goditur disa herë më shkop bejsbolli, por pas ndihmës së mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga deklarimet paraprake që ai ka dhënë për oficerët e Policisë Gjyqësore, që e kanë marrë në pyetje në spital, ka deklaruar se është sulmuar nga 3 persona. Por ai është shprehur se nuk ka njohur asnjërin prej tyre, raporton “Panorama”.

Ndërsa i pyetur në lidhje me ndonjë konflikt të mundshëm për të përcaktuar motivin e këtij sulmi, Pura është shprehur se nuk ka konflikte me asnjë person, qoftë për shkak të detyrës që bën, apo qoftë edhe për çështje personale.

Burimet thanë se është ende herët për të përcaktuar nëse ngjarja ka lidhje apo jo me detyrën, ndërsa paraprakisht po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të dyshuar të ngjarjes.

“Më datë 17 janar, rreth orës 08:00, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në vendin e quajtur zona e ‘Freskut’, një shtetas ndodhet i shtrirë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe ambulanca ku nga veprimet paraprake ka rezultuar se, në afërsi të një pallati është gjendur i dëmtuar shtetasi Bledar Pura, 36 vjeç, ku sipas deklarimit të tij, dyshohet se është dhunuar nga 2- 3 persona.

Ai është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës.