Ujësjellës Kanalizime Durrës intensifikon kontrollet duke u drejtuar gjatë këtij muaji te personat debitorë. Bëhet fjalë për persona familjarë dhe biznese, të cilëve iu është dërguar njoftimi për debinë që ata kanë dhe më pas iu është ndërprerë uji i pijshëm. Pikërisht për këtë kategori abonentësh kanë nisur kontrollet për të bërë verifikimin e tyre nëse janë kryer pagesat apo jo.

Gjatë kontrolleve që janë ushtruar ditët e fundit janë konstatuar disa debitorë që nuk kanë paguar faturat e prapambetura, madje disa kanë rilidhur vetë ujin e pijshëm. Nëndrejtori i UKD-së Kasem Bejko, shprehet se të gjithë personat në fjalë janë dërguar për ndjekje penale, madje një prej tyre ka qenë edhe punonjës i Ujësjellesit dhe tashmë është larguar nga puna.

“Ujësjellës Kanalizime Durrës vazhdon kontrollet e abonentëve në kuadër të reformës së ujit. Këtë javë grupet në terren janë duke verifikuar të gjithë debitorët të cilëve iu është ndërprerë furnizimi me ujë pasi nuk kanë paguar faturat në periudha të ndryshme. Për rastet që janë konstatuar se debitorët kanë kryer rilidhjen e ujit të pijshëm pa paguar debitë, ne kemi kryer procedimet penale. Në këtë kontekst dje kemi proceduar penalisht edhe një punonjës të Ujësjellës Kanalizime Durrës, i cili rezultonte pa kontratë furnizimi me ujë për banesën dhe biznesin e tij. Personi në fjalë gjithashtu është larguar edhe nga puna. Për këtë arsye, Ujësjellës Kanalizime Durrës iu bën thirrje edhe një herë të gjithë debitorëve që të drejtohen pranë arkave të Ujësjellësit për të bërë pagesat e faturave të ujit dhe të mos tentojnë të bëjnë vetë lidhjen e ujit të pijshëm. Çdo person që do të kapet duke rilidhur vetë ujin, do të dërgohet për ndjekje penale”.