Valë lëvizjesh dhe ndryshimesh pritet që të ndodhin në radhët e Policisë së Shtetit gjatë kësaj jave.

Ashtu siç e paralajmëroi që në fjalën e mbajtur gjatë emërimit si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu do të ristrukturojë këtë institucion.

Sipas këtij projekti, strukturat e policisë nga Drejtoria e Përgjithshme në drejtoritë vendore dhe komisariate do të kryejnë një rishpërndarje të forcave të policisë në territor.

Një ndarje më e vogël se komisariati do të jetë Zona Policore në të cilën do të shërbejnë inspektori i policisë së zonës, patrulla e përgjithshme dhe inspektori i krimeve. Kjo do të mundësojë një mbulim më të mirë të territorit dhe një parandalim të ngjarjeve kriminale. Sipas kësaj ndarje do të rritet roli i inspektorit të zonës, i cili do të marrë kontakt me çdo familje duke i lënë kartëvizitën e tij.

Në rast konflikti, banorët duhet të kontaktojnë me inspektorin e zonës në mënyrë që të marrin një shërbim të shpejtë dhe efikas pasi të dy palët njihen nga inspektori i zonës.

Kjo do të lehtësonte edhe punën e komisariateve dhe sallës operative. Ky organizim do të ndihmojë që krahas fokusit të goditjes së veprimtarisë kriminale policia të përqendrohet te parandalimi, sidomos në çështjet që janë të ndjeshme si dhuna në familje dhe apo krimi mes adoleshentëve. /BW