Policia Bashkiake e Durrësit, inspektoriati i bashkisë, përfaqësues nga Tatim-Taksat e nga Drejtoria e Rrugëve, janë zhvendosur këtë të martë në rrugën “Aleksandër Goga” nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri te spitali rajonal.

Objekt i punës së tyre ka qenë lirimi i trotuareve nga zaptuesit e shumtë, kryesisht lokale që me tavolinat e me karriget kishin zaptuar rrugën e këmbësorëve.

Por edhe ambulantë të shumtë që shesin cikërrima apo rroba të përdorura, janë larguar nga efektivët e Bashkiakes, të cilët për çdo javë janë duke u zhvendosur nga një rrugë në tjetrën.

“Aleksandër Goga”, një ndër rrugët më kryesore në qytetin e Durrësit, ka qenë gjithnjë problematike sa i takon shitësve ambulantë dhe reklamimeve të shumta që kishin zaptuar të dy anët e saj.