Pak ditë pasi ish-kryeprokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla dorëzoi në Presidencë kërkesën që të mos emërohet në Gjykatën e Apelit dhe të mos i nënshtrohet Vetting-ut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se ka ndërprerë procesin e rivlerësimit për ish-kreun e akuzës.

Në një njoftim për shtyp, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se trupi gjykues, i përbërë nga: Roland Ilia, Pamela Qirko dhe Olsi Komici “pasi mori dijeni për dorëheqjen e subjektit të rivlerësimit, z. Adriatik Llalla, më datë 12.02.2018, në zbatim të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, Adriatik Llalla.

Vendimi do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni në zbatim të afatit të përcaktuar në nenin 55/7 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.”

Duke kërkuar që të mos verifikohet dhe të mos kalojë në filtrat e Vetting-ut, Llalla heq kështu dorë nga emërimi si gjyqtar.