Publikohet momenti i arratisjes së Mikel Kasës nga ambientet e Gjykatës së Vlorës.

Siç shihet nga këto pamje nga kamerat e sigurisë së Gjykatës, të publikuara nga “Ora News”, ka qenë ora 10:22:04 kur i riu është larguar nga salla e gjyqit dhe pas 16 sekondash ai është parë jashtë ambienteve.

Fillimisht Kasa ndodhej në tavolinën e të akuzuarve, i shoqëruar edhe nga avokati. Para momentit të largimit duket se i riu ka komunikuar shkurt me avokatin dhe më pas ka hipur mbi tavolinë për t'u larguar me shpejtësi nga dera ku dalin gjyqtarët. 

Më pas Kasa iu drejtua korridorit në katin e dytë të Gjykatës duke përfituar edhe nga mungesa e forcave të rendit. 

Në orën 10:22:20 Kasa është fiksuar nga kamerat e sigurisë duke dalë me vrap në ambientet e jashtme. 

Në pamje duket gjithashtu se Mikel Kasën e ndjekin disa persona të tjerë. Ndërsa duket edhe një efektiv policie.

Mikel Kasa u arratis nga seanca gjyqësore, sapo u lexua vendimi që e dënoi atë me 5 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar 28-vjeçari mori dënimin 3.4 vite.

Kasa akuzohet për Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë.