Ndodh sërish në autostradën Tiranë-Durrës, automjetet çajnë gomat dhe jeta e drejtuesve të tyre dhe pasagjerëve vihet në rrezik të madh.

Sipas raportimeve, mbi 10 makina kanë çarë gomat mbrëmjen e kësaj të diele në gropat të cilat ndodhen në korsinë e shpejtësisë në zonën e Sukthit.

Siç duket edhe në videon e publikuar në rrjete sociale nga “JOQ”, denoncuesi bën me dije se disa makina kanë ndaluar për të ndërruar gomat për të njëjtën arsye.

“Komplet gomat të çara autostrada Tiranë-Durrës. Gropat në mes të autostradës në korsi të shpejtësisë në Sukth, Zoti na ruajttë! Mbi 10 makina çanë gomën në kohën që po e ndërroja timen. Gropa me të marrë në qafë”, shkruan denoncuesi, teksa filmon automjetet bashkëvuajtëse, që numërohen mbi 10.

Kjo është hera e dytë gjatë kësaj jave që po lëmë pas, që përsëritet e njëjta situatë në aksin rrugor më të rëndësishëm në vend. Të martën më 20 shkurt, “DurrësLajm” raportoi për të njëjtin problem, kur 6 automjete çanë gomat për shkak të infrastrukturës së degraduar. Gjendja e krijuar është alarmante në këtë segment rrugor që përballet çdo ditë me një fluks të madh lëvizjeje, ku mesatarisht qarkullojnë rreth 45 mijë mjete. Drejtuesit bëjnë apel që autoritetet të marrin masa për rehabilitimin e saj, pasi jeta e të gjithëve po rrezikohet çdo ditë.

S.L.