Përmes një postimi në “Facebook”, kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako njoftoi të shtunën investimin që po realizohet në lagjen nr.1 të qytetit për të evituar derdhjen e ujërave të zeza në det.

Madje, kryetari i bashkisë po ndjek vetë nga afër të gjitha punimet që po realizohen për sistemimin e rrjetit të kanalizimeve.

Derdhja e ujërave të zeza në det në shëtitoren “Taulantia” është një fenomen mjaft i njohur për banorët e Durrësit. Era e rëndë i shoqëron qytetarët gjatë xhirore të tyre të zakonshme, ndërkohë që ndotja e detit përgjatë gjithë shëtitores konstatohet në çdo kohë.

Në redaksinë e “DurrësLajm” ka mbërritur një video e xhiruar nga një qytetar, pak ditë më parë.

Në pamjet filmike duket mjaft qartë sesi derdhen ujërat e zeza direkt në det, duke ndotur vijën bregdetare dhe një nga zonat më të frekuentuara nga qytetarët e Durrësit.

Nëse investimi i bashkisë do t’i japë fund njëherë e mirë këtij problemi, ky do të jetë një lajm mjaft i mirë, jo vetëm për durrsakët, por edhe për mijëra turistë, pushues dhe emigrantë që vijnë në Durrës gjatë sezonit veror.

POSTIMI I DAKOS:

Vazhdon puna e vështirë, por pa ndërprerje për sistemimin e rrjetit të kanalizimeve në lagjen nr. 1 të qytetit. Në sajë të këtij investimi madhor do të shmanget plotësisht derdhja e ujrave të zeza në det.