Vijon aksioni për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Durrësit. Ditën e sotme, Policia Bashkiake filloi aksionin në bulevardin kryesor: nga pallati i kulturës deri te pallati i sportit.

Për shkak të kushteve atmosferike, të reshjeve të dëborës, aksioni u ndërpre në mesditë për të rifilluar nesër në mëngjes. Subjektet dhe bizneset janë ndërgjegjësuar dhe pjesa më e madhe ka bërë lirimin vullnetar të hapësirave publike.

Kreu i Policisë Bashkiake Vasip Çopa, bën me dije për "DurrësLajm" se aksioni do të vazhdojë dhe në brendësi të lagjeve dhe rrugicave.

"Në ditët në vazhdim për të ndaluar një herë e mirë këtë fenomen të kthyer në mentalitet se me hapësirat publike mund të bësh çfarë të duash. Për të gjithë ata që ndërmarrin hapa të tillë në kundërshtim me ligjin, cilëtdo qofshin ata, toleranca do të jetë zero!", shprehet Çopa.

Ndërkohë që Policia Bashkiake po ndërhyn për lirimin e hapësirave publike, Drejtoria e Sherbimeve në bashkinë Durrës në bashkëpunim me arkitektë dhe specialistë të fushës po përgatisin një studim me standarde bashkëkohore, e cila do të përcaktojë rregullat dhe kushtet për të marrë leje për zënien e hapësirave publike.

S.L.