Më shumë se 170 fëmijë të grupmoshave të ndryshme paraqiten për të marrë shërbimin mjekësor pranë Urgjencës së Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Durrësit çdo ditë.

Temperaturat e larta të stinës së verës janë karakterizuar me çrregullime shëndetësore tek fëmijët. Këtë situatë e tregon fluksi i fëmijëve në Pediatri si dhe mjekët pediatër.

Mjekët në tilla raste këshillojnë prindërit që të tregojnë kujdes tek fëmijët nga virozat deri tek mbrojtja nga dielli. Shefi i Pediatrisë së Durrësit, Fatmir Shahini, konfirmon situatën e rënduar shëndetësore të fëmijëve në këtë periudhë të nxehtë vere.

Mjekët pediatër këshillojnë prindërit të tregojnë kujdes me ambientin ku qëndrojnë fëmijët, me higjienën e tyre, por edhe me ushqimin që konsumohet.

Fëmijëve duhet t’u jepen lëngje frutash, ujë natyral i pastër, ushqime të lëngshme e të gatuara në moment, këshillojnë mjekët. Sipas tyre, është mjaft i rëndësishëm konsumimi i sa më shumë frutave dhe zarzavateve të freskëta dhe lëngjeve.

Ndërsa, në shtëpi duhet të mbahen në ambientet e freskëta, në temperaturë deri 25 gradë celsius e me lagështi normale.

K.H.