Shëtitorja “Vollga”, aq shumë e frekuentuar nga të gjithë durrsakët dhe turistët e pushuesit që zgjedhin për të vizituar Durrësin, është shndërruar në një treg kaotik ku shiten produkte e ushqime të gjithëfarëllojshme.

Nga pikturat, syzet e diellit, rroba, këpucë e sandale; petulla, qofte, e lloj-lloj ushqimesh të përpunuara, duke i shtuar edhe zulluhinë që ka krijuar këndi i lojërave, prej kohësh i kanë dhënë një pasqyrë të shëmtuar e të rënduar asaj shëtitoreje që identifikon qytetin tonë.

Shëtitorja që shërben për të kaluar një pasdite të qetë e ka humbur krejtësisht identitetin e saj. Jo vetëm zaptimi i hapësirës për të rriturit e fëmijët, por edhe ndotja akustike që shkaktojnë britmat e ambulantëve dhe muzika me volum të lartë, është një tmerr i vërtetë. Ata që kanë fëmijë të vegjël shqetësohen edhe më shumë me atë që ndodh në atë shëtitore, e cila në stinën e verës, paraqet një situatë akoma më alarmante.

Lënia pas dore nga ana e pushtetit vendor ka çuar në këtë katrahurë, duke u nisur edhe nga detaji më i vogël, por që bën diferencën. Mjafton t’i hedhësh një sy sipërfaqes së gjelbër me bar e lule që i përket hapësirës publike, e ta krahasosh me atë që menaxhojnë rreth e rrotull subjektet private, për të kuptuar që kujdesi i shtetit çalon në këtë drejtim…

Sigurisht që lokalet tregojnë kujdes të madh për të krijuar një ambient sa më të kuruar e tërheqës për klientët, pasi është në mes qëllimi fitimprurës i biznesit, por do të ishte mirë që edhe ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit të merrte shembull nga to, e të mos i lërë shtresat e barit vende-vende me copa dheri, dhe lule të thata e pa jetë.

Por me shitësit ambulantë, ata që përbëjnë shqetësimin kryesor e që i shkatërron imazhin shëtitores së durrsakëve, çfarë do të ndodhë?

DurrësLajm” u interesua pranë Policisë Bashkiake të Durrësit. Drejtori i saj Vasip Çopa, tha se në vazhdim të aksioneve të njëpasnjëshme që kanë ndërmarrë për lirimin e qytetit që prej muajit janar, javën e ardhshme pas datës 16 prill, efektivët e Policisë do të ndalen në këtë zonë. Madje është planifikuar që ndërhyrja të jetë e fortë dhe më e organizuar se në të gjitha aksionet e tjera.

“Do përfshijmë të gjithë shëtitoren “Taulantia”, duke filluar nga “Torra” deri tek “Aragosta”. Nuk do të shpëtojë asnjë rrugë, rrugicë apo lulishte, të cilat do i lirojmë nga tavolinat, vazot, gardhet dhe nga çdo objekt tjetër që ka zënë hapësirat e qytetarëve. Por jemi në pritje që të sistemohet kanali i ujërave të zeza dhe shtrimi i saj me asfalt, për të bërë më pas ndërhyrjen”, deklaroi Çopa.

Nga ky aksion, pritet që shitësit ambulantë të largohen të gjithë, ndërsa sa u përket lodrave, ato do të minimizohen.

“Mund të qëndrojnë vetëm disa që janë me leje, që i përshtaten kushteve teknike dhe që nuk përbëjnë shqetësim për qytetarët. Kjo do të shihet në vazhdim”, sqaroi për “DurrësLajm” kreu i Policisë Bashkiake.

Përpara fillimit të sezonit turistik, kur edhe numri i popullsisë gati dyfishohet, çdo durrsak do të dëshironte që të gjente një “Vollgë” më të pastër e të liruar këtë verë… një vend ku të thithin e të shijojnë vetëm jodin e detit!

S.Likmeta