Universiteti "Aleksandër Moisiu" Durrës në bashkëpunim me Institutin e Rajoneve të Europës me qendër në Salzburg të Austrisë, si dhe me Institutin e Studimeve të Europës Juglindore në Tiranë, organizoi Forumin e Diskutimit “Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në Rrjedhat e Integrimit Europian”.

Nën moderimin e Prof. As. Dr. Enver Bytyçi, referatin kryesor e mbajti Prof. Dr. Franz Schausberger, Zv. Kryetar i Grupit të Komisionit Europian dhe Fraksionit të Partive Popullore në Parlamentin Europian për Integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës në BE, President i Institutit të Rajoneve të Europës në Salzburg të Austrisë.

Në panel morën pjesë me idetë dhe mendimet e tyre edhe z.Genc Pollo, kryetar i Komisionit të Integrimit në Parlamentin e Shqipërisë, ish-zv. Kryeministër i Shqipërisë, dhe Klajda Gjosha, deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministre e Integrimit, Dekani i Fakultetit të Shkencave Politike – Juridike, Prof. As. Dr. Andon Kume.

Politikani austriak Prof. Dr. Franz Schausberger gjatë fjalës së mbajtur tha se Shqipëria dhe Kosova kanë qenë për të ndër vendet prioritare të ndihmës në rrugën e integrimit. 

Edhe Klajda Gjosha e Genc Pollo të cilët janë në opozitë, folën për plotësimin e pesë rekomandimeve nga ana e Shqipërisë për të hapur dritën jeshile të negociatave. Pollo tha se vendi ynë është në vend numëro përsa i përket procesit të reformave që kërkohen nga BE.  

Ky forum, përpos studentëve u ndoq me një interes edhe nga kërkues shkencorë, profesorë dhe ekspertë të kësaj fushe, si dhe nga shoqëria civile, të cilët morën pjesë aktive në diskutime përmes çështjeve të ngritura dhe pyetjeve për prof. Schausbergerin dhe panelin.