Ashtu sikundër investimi te sheshi ku po ndërtohet “Veliera” në qendër të Durrësit, edhe   sheshi te Mauzoleumi i Dëshmorëve është peng i vendimmarrjes së Ministrisë së Kulturës dhe Komitetit Kombëtar të Arkeologjisë.

Faza e parë e sheshit te Mauzoleumi ku është parashikuar edhe ndërtimi i godinave të Gjykatës dhe Prokurorisë, duhet të kishte përfunduar, por specialistët e KKA-së nuk kanë dhënë akoma “vulën” e nisjes së punimeve, pasi para çdo investimi në zonën arkeologjike A dhe B, duhet të merret mendimi i ekspertëve të arkeologjisë.

Kështu tha kreu i bashksië ë Durrësit i pyetur nga “DurrësLajm”, në lidhje me zvarritjet që po has ky investim. Projekti për rivitalizimin e këtij sheshi, parashikon që në të dy krahët e Mauzoleumit të Dëshmorëve të ndërtohen dy godina simbol për qyetin, Gjykata dhe Prokuroria në fazën e tretë të punimeve. Godinat janë parashikuar të ndërtohen aty ku gjenden lulishtet në të dy krahët e rrugës që ngjitesh për te Mauzoleumi i Dëshmorëve.

Bashkia ka tenderuar projektin me vlerë 1 miliard lekë, që janë akorduar nga të ardhurat e bashkisë për vitin 2017, dhe firma fituese është shpallur sipas burimeve nga bashkia Durrës. Në bazë të projektit për zonën para sheshit “Pranvera” dhe godinës së Postë- Telekomit, është parashikuar që të hiqen prej andej stacionet e autobusëve të Porto- Romanos dhe Plepave. Segmenti rrugor nga “Pranvera” deri te kryqëzimi me bulevardin “Dyrrah” të kthehet në pedonale për këmbësorët, ndërsa para sheshit të Albtelekomit është parashikuar   të ndërtohet një parking  për rreth 600 makina. Kthimi i rrugëve në pedonale kufizon edhe lëvizjen e qytetarëve me makina në qendër të qytetit.

K.H.