Shtatë muaj nga marrja e vendimit për bllokimin e punimeve të projektit “Veliera” në Durrës në zonën arkeologjike A, Gjykata Administrative ende nuk ka dhënë asnjë vendim mbi fatin e këtij investimi.

“Zvarritja e vendimit nga ana e kësaj gjykate bëhet me qëllim për t’i dhënë më shumë kohë autoritetit të bashkisë së Durrësit në projektin e saj të “Velierës”, por shoqëria civile nuk do të lejojë këtë gjë!”

Me këtë denoncim ka dalë para medieve ambientalisti Sazan Guri, që së bashku me pesë persona të tjerë nga Durrësi dhe Tirana, thanë se nuk do të lejojnë që zbulimet arkeologjike të varrosen poshtë ndërtimit.

Sazan Guri i bëri thirrje gjykatës administrative të shkallës së parë në Durrës, të zhbllokojë procesin gjyqësor që sipas tyre mbahet i bllokuar qëllimisht. Gjykata Administrative u krijua që të merrte nën shqyrtim çështjet administrative me urgjencë, por kjo gjykatë po i vonon proceset me muaj të tërë.

Për bllokimin e punimeve të fazës së dytë të projektit “Veliera” ka edhe një vendim nga Gjykata e Apelit në Durrës, ndërsa Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar se çfarë do të bëhet me projektin në zonën arkeologjike. Sazan Guri tha se çështjen e ka dërguar edhe në UNESKO. Një dosje e veçantë i është dërguar autoritetit më të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë Botërore të Kulturës.

Sipas Sazan Gurit, pritet që ditën e nesërme gjykatësi Petraq Curri të japë një vendim në lidhje me këtë projekt, dhe sipas tij, dyshohet që mund të ketë manipulime.

K.H.