Një i ri po lufton me vdekjen pasi u sulmua me benzinë dhe më pas iu vu flaka. Jefferson Quintanilha de Souza po bisedonte me një klient në kompleksin rezidencial Parque das Margaridas, në jug të Brazilit kur u sulmua.

Një person hyri në kabinën ku ndodhej i riu, i hodhi atij benzinë në fytyrë dhe ndezi çakmakun. Viktima, i cili nuk pati kohë të mbrohej, u përfshi menjëherë nga flakët dhe nisi të vraponte duke ulëritur nëpër ndërtesë.

Autori i dyshuar i kësaj ngjarjeje makabre, sipas asaj që shkruan e përditshmja “The Sun”, qëndroi në vendngjarje duke parë atë që kishte bërë dhe më pas u largua me qetësi.

Souza pësoi djegie në 60 përqind të trupit, kryesisht në pjesën e sipërme. Ai mësohet se ndodhet në gjendje kritike në spital.

Policia tha se ka mundur të identifikojë autorin e kësaj ngjarjeje të rëndë. Ai vijon të jetë në arrati. Sa i përket motivit, autoritetet thanë se nuk kanë mundur ende ta zbardhin atë.