Nënsekretari i Kryeministrisë së Italisë, Giancarlo Giorgetti, tha se vendi i tij mund të pësojë sulm ekonomik ashtu sikurse Turqia, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për gazetën Libero, Giorgetti ka tërhequr vëmendjen se një sulm ekonomik mund të ndodhë kundrejt Italisë në fund të këtij muaji dhe në fillim të muajit shtator, duke marrë Turqinë si shembull në këtë aspekt.

Ndaj një pyetjeje për mundësinë e një sulmi ekonomik mbi Italinë përmes tregut, Giorgetti tha:

“Unë pres një sulm të tillë dhe ka fonde spekulative të uritura që pasi zgjedhin gjahun nëpër tregje, kalojnë në veprim. Të gjithë e kemi vërejtur atë që i ndodhi Berluskonit shtatë vite më parë dhe në fund të gushtit të vitit 1992. Për shkak se gjatë verës ka pak lëvizje në bursë, kjo mund të shkaktojë ndërhyrje agresive kundër vendeve, siç është rasti në Turqi”.