Presidenti amerikan Donald Trump ka përshëndetur homologun rus Vladimir Putin gjatë samitit të Helsinkit, duke i “bërë me sy” të parit të Kremlinit.

Gjuha e trupit të liderëve nuk ishte edhe aq mirë, vlersojnë ekspertët. Ndërkohë që Trump dhe Putin u ulen në karrige gjatë konferencës për media, i pari i Shtëpisë së Bardhë është parë duke ia bërë me “sy” homologut rus i cili nuk reagoi fare.

Judi James, eksperte e gjuhës së trupit ka deklaruar për Daily Mail, se samiti ku janë takuar lideri amerikan dhe ai rus, tregonte fuqinë që shfaqnin liderët por “jo admirim për njëri-tjetrin”.

“Që të dy – Trump dhe Putin u futën në sallë sikur dëshironin të tregonin forcën e tyre. Nuk kishte admirim mes tyre, e në veçanti tek Putin, i cili përveç se lëvizte sytë për asnjë moment nuk e dhuroi as edhe një buzëqeshje të vogël kur Trump e uroi për organizimin e kampionatit botëror të futbollit”, ka shtuar Judi.

Ajo gjithashtu ka komentuar gjestikulacionet e liderëve lidhur me atë se cili do të duhej të fillonte i pari të fliste. Sipas saj ky moment është dashur të shfrytëzohet për pak humor, por ndodhi e kundërta – vërehej “tension”.