Recep Tayip Erdogan dhe partia e tij kryesojnë bindshëm zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare të së dielës. Janë numëruar deri më tani mbi 95 % e votave dhe Erdoan ka siguruar 52.68% të votave si kandidat për President, çka i jep fitoren që në raundin e parë.

Rivali i tij republikan Muharrem Ince ndodhet në 30.75%. Nën 10% janë 4 rivalët e tjerë. Edhe në zgjedhjet parlamentare, partia e Erdoganit për Drejtësi dhe Zhvillim kryeson me 42.5% të votave, kundrejt 22.68%-shit të republikanëve në opozitë.

Erdogan pritet të sigurojë edhe shumicën e nevojshme për miratimin e reformave që zgjerojnë kompetencat e presidentit falë bashkëpunimit me nacionalistët e Devlet Baçeli. Partia e tij renditet e treta dhe sëbashku me Erdoanin pritet rreth 53% të votave parlamentare.

Pjesëmarrja në zgjedhje arriti një nivel tepër të lartë 87%. Ndryshimet kushtetuese të miratuara me referendum vitin e kaluar e shndërruan Turqinë në republikë presidenciale. Presidentit ia zgjatën mandatin nga 4 në 5 vjet, duke i dhënë edhe kompetencat e kreut të ekzekutivit. Analistët thonë se fitorja e tij ka ardhur edhe falë rregullave që kanë shtypur zërin opozitar, veçanërisht atë të grupimeve politike kurde dhe gylenistët.