17-vjeçari që shkaktoi sulmin në shkollën e "Santa Fe", në shtetin amerikan të Teksasit la 10 të vrarë dhe 12 të plagosur. Dimitrios Pagurtzis, një adoleshent amerikan me origjinë greke, nxënës i shkollës u arrestua menjëherë nga policia.

Ngjarja e rëndë ngre edhe një herë debatin për sigurinë në shkollat amerikane. Mediat në SHBA shkruajnë se me një sistem më të kontrolluar të nxënësve, ajo mund të ishte parandaluar.

Nga fotot që postonte në rrjetet sociale Dimitrios Pagurtzis, njihej si i apasionuar pas armëve të zjarrit dhe thikave. Ai shfaqte karakterin e dhunshëm, siç e tregon edhe kjo bluzë me mbishkrimin, "i lindur për të vrarë".

Në  banesën e tij u gjetën, lëndë shpërthyese dhe bomba artizanale.

Motivi që çoi adoleshentin të kryente atentatin ndaj bashkëmoshatarëve të tij, me gjasë është bullizmi. Sipas Uashington Post, 17-vjeçari ka qenë objekt i sulmeve bulliste nga shokët dhe trajneri i tij.

9 prej viktimave ishin nxënës, ndërsa tjetri një mësues.

Presidenti Donald Trump dënoi rëndë aktin. Ky ishte sulmi i 22-të në shkollat amerikane nga fillimi i këtij viti, më i rëndi ishte ai i muajit shkurt në një shkollë në Florida, ku mbetën të vrarë 17 persona.