Rusia së shpejti do të dëboi nga territori i saj diplomatët britanikë, ka paralajmëruar sot shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, si përgjigje ndaj vendimit të Britanisë për të dëbuar 23 diplomatë rusë.

Britania mori këtë vendim, pasi që Moska refuzoi të shpjegoi se si ndodhi që një gaz nervor i prodhimit rus u përdor për sulmin kundër ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij në Solsberi. 

Moska ka mohuar përfshirjen në këtë sulm, ndërsa Lavrov i cilësoi si çmenduri akuzat e kryeministres së Britanisë, Thereza May. I pyetur nga gazetarët se kur do të ndodhë dëbimi i diplomatëve britanik, Lavrov tha se kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe shtoi se akuzat e Londrës janë të papërgjegjshme dhe nuk po mbështetën me dëshmi, shkruan rtv21.tv.

Ai më tutje theksoi se qasja e Londrës ndaj kësaj çështje pjesërisht është rezultat i problemeve me të cilat po përballet qeveria britanike për shkak të Bregzitit. Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Britanisë, Boris Johnson, ashpërsoi sot gjuhën e fjalëve, duke thënë se sulmi kundër Skripalit është mënyra e Rusisë për t’iu thënë njerëzve se kjo do të ju ndodh, nëse kundërshtoni regjimin në Moskë.

“Është ky momenti për Presidentin Vladimir Putin për t’iu dërguar njerëzve porosinë: Nëse e bëni këtë, do të vdisni”, tha Johnson. Të mërkurën, edhe Shtëpia e Bardhë u solidarizua me Britaninë dhe mbështeti vendimin e Londrës për të dëbuar diplomatët rusë. Një zëdhënëse e presidentit Donald Trump akuzoi Rusinë se po minon sigurinë e shteteve në gjithë botën.