Në Guta të Sirisë vazhdojnë bombardimet e trupave pro-regjimit, të cilat vetëm këtë të martë u kanë marrë jetën mbi 60 personave, duke e çuar në 210 bilancin e viktimave të aksionit që prej ditës së diele.

Trupat pro-qeveritare kanë vijuar sulmet në Guta, një zonë periferike në rrethinat e Damaskut, duke vrarë vetëm këtë të martë 66 persona. Masakra ka shkaktuar indinjatë ndërkombëtare, nisur nga fakti se që prej së dielës sulmet ajrore dhe me raketa u kanë marrë jetën mbi 210 vetëve, kryesisht të rinj dhe fëmijë.

Lajmin e ka konfirmuar Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, ndërkohë që nga ushtria siriane nuk ka pasur asnjë reagim, përveç deklaratës së mëhershme se në shënjestër janë vënë vetëm rebelët. Aktet e fundit të dhunës në zonën periferike të kryeqytetit sirian janë pjesë e një operacioni masiv të regjimit të presidentit Bashar al Assad, i fokusuar në disa zona të vendit për t’i dhënë fund rebelimit 7-vjeçar ndaj tij.

Panos Moumtzis, koordinatori i OKB-së për çështjet humanitare në Siri, dënoi bombardimin e 5 spitaleve dhe paralajmëroi se sulmet e qëllimshme ndaj godinave mjekësore mund të përbëjnë krime lufte. Ndërsa qeveria franceze e cilësoi aksionin një shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Në Bruksel, lideri i opozitës siriane Nasr al Hariri i tha përfaqësuesve të vendeve të BE-së se intensifikimi i sulmeve përbënte një krim lufte dhe kërkoi ushtrimin e një presioni më të madh ndaj Assad. Ndërkohë, në Gjenevë, agjencia e OKB-së për fëmijët shprehu indinjatën e saj për vrasjen e të miturve, duke deklaruar se ngjarja e ka lënë pa fjalë.