Evropa ka parë rritje masive të rasteve të fruthit në vitin 2017. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se bëhet fjalë për një rritje të rasteve me 400%, përkatësisht për mbi 20,000 njerëz të infektuar, krahasuar me 5,273 në vitin 2016. Nga të infektuarit, 35 kanë vdekur.

Sipas OBSH-së, shifrat janë tragjedi. Pesëmbëdhjetë rajone evropiane kanë pasur shpërthime të mëdha, në mesin e tyre: Rumania, Italia dhe Ukraina. Njerëzit që shmangin vaksinimin janë pjesë e problemit, thonë ekspertët.

"Çdo person i prekur nga fruthi në Evropë na kujton se fëmijët dhe të rriturit e pavaksinuar, pavarësisht se ku jetojnë, janë në rrezik nga sëmundja dhe përhapja e saj te të tjerët"– tha Suzsanna Jakab, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, njofton REL.

Fruthi është një sëmundje virale infektive që mund të jetë vdekjeprurëse.