Dy sulme me armë kanë tronditur Francën jugperëndimore paraditen e kësaj të premteje. Një polic u qëllua me armë zjarri në Carcassonnes ndërsa një i armatosur mori disa persona peng në një supermarket në Trebes, ku raportohet se ka qëlluar për vdekje të paktën njërin prej tyre.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia franceze e lajmeve “AFP”, sipas të cilës dy qytezat ndodhen 15 minuta me makinë nga njëra-tjetra. Deri më tani nuk është e qartë nëse dy incidentet kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Sipas agjencisë amerikane të lajmeve “AP”, të paktën një person është qëlluar për vdekje gjatë pengmarrjes në supermarket. Ndërsa “AFP” tha se pengmarrësi ka pretenduar të ketë lidhje me organizatën terroiste të ISIS-it.

Forcat speciale franceze kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë rrethuar zonën. Sipas dëshmitarëve okularë të shtënat në zonë u dëgjuan pak pas orës 11:00 të paradites së sotme.

Në Carcassonnes, disa policë të paarmatosur të një kompanie private po vraponin në kohën që u sulmuan nga një person i armatosur, i cili fillimisht u përpoq t’i përplaste me një makinë.

“Ata u hodhën përtokë në dysheme, por një prej tyre është qëlluar në shpatull”, tha një burim për radion “France Info”.