Një person i armatosur ka qëlluar me armë në drejtim të Ambasadës së SHBA-së në kryeqytetin turk, Ankara. 

Agresori qëlloi nga nje automjet me të cilin udhëtonte. Nga të shtënat fatmirësisht nuk ka të lënduar, është dëmtuar vetëm një dritare e Ambasadës.

Ngjarja u regjistrua në orën 5:00 të mëngjesit me orën lokale. Pesë deri në gjashtë të shtëna armësh u dëgjuan pranë kabinës së rojës së sigurisë në portën 6 të Ambasadës.

Plumbat dolën nga një makinë e bardhë që kaloi para Ambasadës dhe më pas u largua me shpejtësi. Targa e mjetit ende nuk është identifikuar. Policia ka rrethuar zonën ndërsa është vënë në kërkim të automjetit të autorëve të sulmit. 

Sulmi vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis aleatëve të NATO-s, SHBA-së dhe Turqisë janë të tensionuara për shkak të arrestimit të  pastorit amerikan Andreë Brunson në Turqi.

Brunson akuzohet se ka ndihmuar në përpjekjen e grushtit të shtetit të 2016-s dhe përballet me 35 vjet burg. Thesari i SHBA-së ka vendosur sanksione ndaj ministrave turk të Drejtësisë dhe të Brendshëm, dhe presidenti i SHBA Donald Trump nxiti tarifat për importin e aluminit dhe çelikut të vendit.

Presioni ekonomik çoi në një zhvlerësim të pashembullt të monedhës kombëtare turke, lirës. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka akuzuar Uashingtonin për sulme të qëllimshme ndaj ekonomisë së Ankarasë dhe i kërkoi popullit të tij të heqë dollarin në favor të lirës.